'How did I get the life of luxury', Defri confesses after being arrested for drug trafficking
‘Si e arrita jetën e luksit’, Defri rrëfehet pasi e arrestuan për trafik droge

Një muaj më parë në media bëri bujë lajmi se reperi i njohur i hitit "Lalushe" Defri Dervishi u arrestua nga policia italiane pas një operacioni droge. Mirëpo pas hetimeve këngëtari i njohur u la i lirë dhe sot në një intervistë për ‘Panorama Plus’ ka rrëfyer gjithçka që përjetoi në ato momente. Përveç burgimit ai foli dhe për jetën e tij luksoze dhe se si e siguron atë.
“Në fillim, kur më arrestuan, e mora me sportivitet. Po tallesha me shokët dhe po qeshnim se siç ndodh në të gjithë botën të marrin për verifikim dhe pastaj të lëshojnë. Por kur unë lexova dosjen, të them të drejtën, u shokova se s’po kuptoja çfarë po ndodhte dhe për çfarë bëhej fjalë. Më mirë të mos i kujtoj. Unë s’kam pasur kurrë të tilla probleme në jetën time dhe normal që deri ditën kur dola, e përjetova shumë keq. Më keq akoma kur e di që po akuzohesh kot dhe në kohën që isha brenda mendoja për familjen dhe shumë projekte që kam në muzikë. E kështu, mezi prisja ditën që të dilja nga aty ku isha.”, tregoi Defri për gazetaren.
Ndër të tjera ai është pyetur dhe se si ka arritur që nga një punonjës ndërtimi të kthehet në një njëri që bën jetë luksoze dhe në një reper të suksesshëm.
“Unë dhe familja ime kemi punuar gjithë jetën me ndershmëri, duke qenë se jemi marrë me ndërtim dhe kemi 20 vite në Itali që bëjmë këtë punë. Kur u vërtetua e gjitha, që ne nuk kishim të bënim me këtë histori, por ishte një keqkuptim i disa takimeve të mia me persona të gabuar, drejtësia italiane e kuptoi si qëndronte e vërteta dhe normal që dolëm të pafajshëm siç është e vërteta. Kemi 20 vite që jetojmë në Itali dhe falë punës, që kemi bërë me vëllezërit, kemi arritur të ndërtojmë një nga firmat më të suksesshme të ndërtimit në zonën ku jetojmë dhe këtë gjë e dinë shumë mirë të gjithë njerëzit që na njohin. Dhe siç e dinë të gjithë, ndërtimi në Itali dhe kudo ka normal fitime për të bërë një jetë të mirë.”, thotë ndër të tjera reperi.
Ai gjithashtu tregoi se tashmë e ka lënë punën në ndërtim dhe prej kohësh jeton me të ardhurat që nxjerr si këngëtar , nga koncertet dhe dasmat që bën.
“Unë kam gati 10 vjet, ndërsa familja ime ka 20 vjet që jeton dhe punon në Itali. Në fillim kam punuar në ndërtim te firma e vëllait, derisa i hyra muzikës. Tani jetoj me muzikë nga koncertet dhe dasmat që kam.”, përfundon Defri.