'I do not want to kill me,' Ridvan's testimony appears before the prosecutor
'Nuk dua të më vrisni', zbardhet dëshmia e Ridvanit para prokurorit

Ridvan Zykaj u arrestua mëngjesin e sotëm, i fshehur në shkurre pas disa orësh kërkimi. Gjatë marrjes në pyetje në polici, 24-vjeçari nuk ka shprehur pendesë për vrasjen e 8 personave dhe ka kërkuar avokat mbrojtës.
"Unë i vrava, më gjeni avokat se nuk dua të më vrisni. Viktimat më akuzonin për çdo gjë, unë s’kam vjedhur asnjë pulë. Edhe ju më akuzoni për çdo gjë", është shprehur 24-vjeçari para grupit hetimor në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Sipas Policisë së Shtetit, autori këmbëngul se e ka kryer krimin pasi të dyja familjet e akuzonin për vjedhje.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbasditen e datës 10.08.2018, ku u vranë me armë zjarri 8 pjesëtarë të dy familjeve ju informojmë se:
Grupi hetimor me ekspertë të Policisë Kriminale të DVP Vlorë dhe të Departamentit të Policisë Kriminale në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vijojnë hetimet lidhur me motivin e plotë të krimit të kryer prej 24 vjeçarit në fshatin Resulaj.
Që prej momentit qe u shoqërua në ambientet e DVP Vlorë, autori po pyetet në disa seanca nga strukturat policore përkatëse mbi rrethanat e krimit.
Nga hetimet e deri tanishme dhe nga deklarimet paraprake të shprehura prej tij, ka rezultuar se e ka kryer aktin kriminal për motive të dobëta/banale, (autori është shprehur se pjesëtarë nga dy familjet Zykaj e kanë akuzuar për vjedhje).
Lidhur mbi këtë por edhe në pista të tjera Policia po vijon hetime të imtësishme deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burimi: TVKlan