18 Dhjetor 2023, 00:52

Humbi gjatë pushimeve, gjendet pas 6 vitesh vogëlushi

XING

Humbi gjatë pushimeve, gjendet pas 6 vitesh vogëlushi

Një djalosh, i cili kishte humbur 6 vite më parë teksa kishte qenë me pushime me famijen u gjet pak ditë më parë në Francë. Alex Batty, tashmë adoleshent 17-vjeç është kthyer në Britaninë e Madhe, atje ku ka edhe familjen, njoftuan autoritetet britanike.

“Më jep kënaqësi të madhe të them që Alex tani është kthyer i sigurt pas gjashtë vjetësh,” u tha gazetarëve të shtunën ndihmës shefi i policisë Matt Boyle, sipas agjencisë kombëtare të lajmeve të Mbretërisë së Bashkuar, Press Association. 

Batty pritet të ribashkohet me gjyshen e tij Susan Caruana, e cila jeton në Oldham, Greater Manchester dhe është kujdestarja ligjore e djalit.

Në një deklaratë të lëshuar përmes policisë, Caruana tha se “mezi pret” për të parë nipin e saj.

Autoritetet britanike dhe franceze konfirmuan së fundmi se adoleshenti i gjetur ishte djali që u zhduk në moshën 11-vjeçare, kur nëna dhe gjyshi i tij e morën në një pushim familjar dy-javor në Spanjë. Mamaja dhe gjyshi e kishin rrëmbyer djalin dhe kishin jetuar si nomadë, kishin lëvizur nga shtëpia në shtëpi, duke bërë një jetë endacake.

Adoleshenti vendosi t’i jepte fund kësaj jete dhe eci për katër netë përpara se ta gjenin në Francë.