25 Dhjetor 2023, 21:30

Kosovë: Gjenden të pajetë në shtëpi biznesmeni dhe bashkëshortja e tij

XING

Kosovë: Gjenden të pajetë në shtëpi biznesmeni dhe

Një çift bashkëshortësh u shuan këto Krishtlindje në Bjeshkët e Junikut në Kosovë. Biznesmeni Mic Tofaj dhe bashkëshortja e tij Fatlinda Maloku-Tofajt, u gjetën të dy të pajetë në një shtëpizë, ku me gjasë kishin shkuar për të festuar. Trupat e tyre u zbuluan rreth orës 11:30 të paradites dhe shkaqet e vdekjes nuk janë ende të qarta. Në një reagim, një zëdhënës i policisë së Pejës tha se dyshimet e para janë që bashkëshortët kanë humbur jetën si pasojë e energjisë elektrike, por pa dhënë më shumë detaje.

“Sot rreth orës 11:30, stacioni policor në Junik është njoftuar se në Bjeshkët e Junikut dy persona kanë vdekur. Njësitet kompetente menjëherë janë nisur në atë drejtim bashkë me mjekun kujdestar. Me të arritur kanë hasur në dy viktima. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshohet se shkaktar ka qenë rryma, nuk ka të bëjë me bombol gazi. Viktimat dyshohet se janë asfiksuar”, tha në një reagim paraprak për mediat vendase, zëdhënësi Fadil Gashi për ngjarjen e rëndë.

Ndërsa në një reagim gjatë pasdites, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi tha se për vdekjen po hetohet në disa pista.  

“Në mesditë jemi njoftuar nga Policia e Kosovës se në Bjeshkët e Junikut, janë dy trupa të pajetë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës dhe prokuror kujdestar i departamentit të krimeve rënda. Njëkohësisht janë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes. Janë disa pista hetimore”.

Për vdekjen e biznesmenit dhe bashkëshortes së tij reagoi kreu i AAK, Ramush Haradinaj.

“I trishtë lajmi për vdekjen tragjike të Mic Tofaj dhe bashkëshortes së tij, Fatlindës. Ngushëllime familjes Tofaj dhe Maloku, miqve dhe gjithë atyre që i kanë njohur nga afër çiftin bashkëshortor.  U prehshi në paqe, Mic e Fatlinda!”

Biznesmeni Mic Tofaj ishte pronar i një fabrike uji në Kosovë.

Burimi: tvklan