Pedagogët në protestë: Pagat të rriten me 30% për këtë vit akademik

Pedagogët kanë njoftuar protestë me datë 5 Tetor pasi kanë disa kërkesa ndaj qeverisë, ndër tyre rritja e pagës. Ditën e sotme në studion e "Abc News" kanë qenë të ftuar pedagogu Ardian Isufi dhe kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve në Shqipëri Sandër Kovaçi.
Ato janë shprehur se qeveria nuk i ka përmbushur premtimet e veta, buxheti ka mbetur në shifrat 4 për qind, ndërkohë që ishte premtuar që të rritej në 5 për qind.
Isufi ka shtuar se për këtë vit akademik rritja e pagës duhet të jetë 30%.
“Jam bashkuar si qytetar dhe si pedagog, se kur flasim për pedagogët flasim për dijen e kombit. Qeveria nuk i ka përmbushur premtimet e veta, buxheti është 4 për qind ndërkohë që ishte premtuar në 5 për qind. Duke shtuar faktin që inflacioni është mbi 7 për qind dhe rritja që ka bërë qeveria është te 6 për qind dhe nuk janë përfshirë pedagogët. Sindikata për punonjësit e universiteteve nuk po kërkon që të rritet rroga 100%, por të rishikohet, për vitin akademik që po vjen të jetë rritja 30% dhe vitin tjetër akademik në 20%”, është shprehur ai.