20 Gusht 2018, 14:34

Former boxing champion, today devastated by drugs, the sad story of the 24-year-old from Shkodra

Dikur kampion në boks, sot i shkatërruar nga droga, historia e trishtë e 24-vjeçarit nga Shkodra

XING

Dikur kampion në boks, sot i shkatërruar nga droga, historia e

- "Jam shkatërruar nga droga, kam shkatërruar jetën e familjes", janë këto fjalët e Riad Celufaj, 24-vjeçari nga shkodra që dikur ëndërronte të bëhej kampion në boks ndërsa sot lufton me varësinë ndaj drogës. Në një intervistë për "Panorama", Riad tregon se droga e ka shkatërruar, e ka detyruar të mashtrojë, të vjedhë. Prej 6 muajsh, 24-vjeçari ka hequr dorë nga droga dhe i bën thirrje të rinjve të mos rrezikojnë të bien në kurth. 

Dikur kampion në boks, sot i shkatërruar nga droga, historia e

"Unë e kam nisur që kur isha 18 vjeç. Në atë kohë shkova në një sallë lojërash dhe aty takova rastësisht një person. Ai ishte përdorues dhe duke ndenjur me të e mësova edhe unë. Që atëherë më janë bërë 6 vite që unë përdor heroinën, derisa kam arritur në këtë ditë që kam humbur gjithçka dhe kam nevojë për ndihmë. Jam në një situatë të keqe, ndërsa kam vetëm 1% shpresë, 99% jam i humbur. Fillimisht merrja para në shtëpi si çdo i ri. Më pas kam filluar që të marr borxhe kudo dhe nuk i ktheja më paratë në shumicën e rasteve. Pas borxheve te të afërmit, kam nisur të marr borxh në shokë dhe më pas te të njohur të tjerë. Pas borxheve, disa herë jam detyruar të vjedh paratë e shtëpisë ose kam shitur orendi apo gjëra të tjera të shtëpisë. Kam vjedhur sepse më duheshin paratë për të siguruar dozën e heroinës. Një përdorues gjithmonë e gjen mënyrën për të siguruar paratë për dozat. Megjithatë, mund të ketë ndonjë rast që mbetesh keq dhe atëherë ke dhimbje të madhe të kokës, të gjithë trupit dhe gjithçka bëhet e padurueshme. Ke dhimbje të madhe kockash dhe të zien i gjithë trupi. Minimumi, më duhej një dozë që bën 30 mijë lekë të vjetër. Normalisht, një përdoruesi të rregullt i duhen të paktën dy doza në ditë. Unë kam arritur të përdor edhe 5 doza dhe më pas kam qëndruar me nga 3 ditë i shtrirë sepse nuk kam qenë në gjendje që të çohem. Unë momentalisht jam krejt i vetëm. Babai më ka vdekur para pak kohësh. Nëna me dy vëllezërit dhe motrën janë larguar prej 9 muajsh në Francë dhe më kanë braktisur me të drejtë. Unë kam bërë shumë të këqija dhe ata nuk e meritojnë, ndaj kanë krejtësisht të drejtë. Edhe shokët apo të afërm e të njohur më kanë braktisur për shkak të borxheve dhe problemeve tjera dhe duke parë se përdorja drogën gjithë kohën. Kam qenë një djalë i shkathët them. Kam qenë boksier, kampion me të rinjtë dhe sapo kalova te të rriturit nisa drogën dhe u shkëputa nga sporti. Kam lënë shkollën e mesme, pasi nisa një punë me idenë se do e merrja më pas shkollën dhe doja të përqendrohesha te puna. Shumë shpejt nisa drogën dhe lashë edhe punën dhe shkollën s’e fillova më. Kam 6 muaj që jam shkëputur dhe nuk e përdor më heroinën. Ajo që kërkoj është një ndihmë nga të gjithë ata që kanë mundësi. Kërkoj të më ndihmojnë shoqatat që janë në Shqipëri, institucionet apo kushdo tjetër që ka mundësi sepse tashmë kam mbetur krejt i braktisur dhe kam kuptuar se çfarë kam bërë. Unë dua që të tregohem i sinqertë. Ajo që më kanë rekomanduar edhe doktorët është që të largohem nga Shqipëria në një shtet tjetër sepse edhe doktorët ma kanë thënë që persona si unë është e vështirë të qëndrojnë aty ku kanë përjetuar vuajtjet dhe problemet e mëdha për shkak të drogës. Kështu që, nëse dikush ka mundësi, të më ndihmojë që të largohem nga Shqipëria ose të më gjejnë një punë të rregullt që të nis një jetë të re. Edhe kur i shoh të rinjtë, mundohem me fjalët e mia që t’u tregoj historinë time dhe t’u them që t’i qëndrojnë sa më larg drogës sepse do t’mohojë edhe familja, siç më ka mohuar mua bashkë me gjithë rrethin shoqëror", është shprehur 24-vjeçari në një intervistë për "Panorama".