18 Qershor 2023, 12:33

Sad/ The well-known writer Naum Prifti passes away

E trishtë/ Ndahet nga jeta shkrimtari i mirënjohur Naum Prifti

XING

E trishtë/ Ndahet nga jeta shkrimtari i mirënjohur Naum Prifti

Shkrimtari i njohur shqiptar, Naum Prifti është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare në SHBA, aty ku jetonte prej vitesh. Ai mbetet një figurë shumë e rëndësishme e letrave dhe kulturës shqiptare teksa njihej gjerësisht si: shkrimtar, skenarist për filma artistikë dhe vizatimorë, eseist, dramatug, kontribut në teatrin e kukullave, publicistikë dhe artikuj kritikë.

Naum Prifti lindi më 7 mars 1932 në Rehovë. Në 1970-72 ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigroi në Amerikë (New York), ku vazhdoi të kontribuonte për komunitetin shqiptar dhe për letërsinë shqipe.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini : tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Mijëra e mijëra faqe të shkruara me dorë, të shtypura me makinë të thjeshtë shkrimi, dhe të hedhura në kompjuterin e ditëve tona, qindra e qindra analiza, diskutime, letërkëmbime, biseda, që mund t’i quash pa frikë-publicistikë, për nga idea dhe mesazhi që mbartin dhe përcjellin.

Prifti ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash. Në vitin 2001 u nderua nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, As Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, New York, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe "Urdhrin Naim Frashëri klasi ll-të".