Separated for 17 years, the student writes to the teacher the letter that everyone scoffed
I ngujuar prej 17 vitesh, nxënësi i shkruan mësueses letrën që përloti të gjithë

Të ftuara në "Ka një mesazh për ty" ditën e sotme ishin Sindi dhe Rovena, dy nxënëse që kanë ardhur të falenderojnë mësuesen e tyre Liljana e cila ka një zemër të madhe.
Mësuese Liljana Luani shkon në malësitë më të thella të Shkodrës dhe i jep mësim fëmijëve të ngujuar nga frika e gjakmarrjes.
"Unë vetë jam bijë nga Dukagjini dhe kam dashur t’i shërbej komunitetit nga vij. Kjo më është dukur pika më delikate që kanë malsorët. Udhëtimi është i vështirë, me furgona dhe me këmbë. Kam ecur me orë të tëra. Nxënësit e mi më kanë pritur me padurim. Sado që lodhem ata më japin forcë. Punoj me gjithë shpirt me ta", është shprehur mësuesja.
Një prej nxënësve të saj, i ngujuar prej 17 vitesh i ka dërguar Liljanës një letër, por për arsye privatësie fytyra e tij nuk është shfaqur në ekran, megjithatë mësuesja ja njohu zërin.
"E dashur mësuese Lili
Do të doja shumë që këto fjalë të ti thoja personalisht përpara gjithë publikut shqiptar. Ti e di që unë jam tip shumë i mbyllur dhe i vetmi person me të cilin hapem dhe flas, je vetëm ti.
Dua të të falenderoj që ti po bën një sakrificë dhe një punë të pa lodhur për të më mësuar mua dhe vëllain tim. Ne nuk kemi as televizor e as radio dhe e vetmja mënyrë për të mësuar se çfarë ndodh jashtë mureve të shtëpisë je vetëm ti. Sa herë të shoh ty tek dera e shtëpisë mbushem me gëzim. Ti na fal dashuri njëlloj si nëna jonë. Unë këtë vit mbaroj 9-vjeçaren dhe do doja shumë që edhe gjimnazin ta bëja me ty. Të mësoj fort e të të bëj ty krenare. Të dua shumë dhe gjithmonë do e tregoj me krenari që ajo që më bëri të dua librin ke qënë ti se unë kam dashur të bëhem futbollist. Mezi pres ditën që do vish sërish tek shtëpia jonë. Të përqafoj…"
"Ky që po fliste ka lindur në gjak. Ka 17 vite që rri i ngujuar. Ka dalë jashtë vetëm me besë, kur i’a kam mundësuar unë ose burrat e fshatit. Ka dalë që të shkojë në shkollë por që kohët e fundit kanë patur dhe një problematikë tjetër që tashmë nuk del më fare jashtë shtëpisë", tregoi mësuesja e përlotur.