30 Gusht 2018, 18:27

They attacked acid 5 years ago, confessed for the first time Vilma: When I saw myself in the mirror

E sulmuan me acid, rrëfehet për herë të parë Vilma: Kur pashë veten në pasqyrë

XING

E sulmuan me acid, rrëfehet për herë të parë Vilma: Kur

Më 27 gusht 2013, Vilma Dule nga Vlora, menaxhere e burimeve njerëzore pranë një call centeri, u sulmua me acid nga një person i panjohur. 5 vite pas kësaj ngjarje, Vilma ka folur për herë të parë për "Gazeta Tema" duke treguar çfarë mban mend nga momenti i sulmit, si arriti të rikuperohej e të merrte veten pas ngjarjes së rëndë.

E sulmuan me acid, rrëfehet për herë të parë Vilma: Kur

“Nga ajo ditë mund të them se çdo qelizë e jetës sime ka ndryshuar. Kujtimi i sulmit dhe i dhimbjes është ende shumë i gjallë. Madje sa herë mbyll sytë më shfaqet përpara çdo moment dhe më trazon pa reshtur. Edhe tani nëse do provoj të mbyll qepallat, më vijnë imazhe nga momenti kur një i ri më sulmoi poshtë pallatit, më vjen koha tek spitali i Traumës që ishte një rreth ferri më vete, më shfaqet vetja kur e kam shikuar në pasqyrë pas ngjarjes  dhe… pastaj kujtoj lot që derdheshin deri në mekje. Acidi të transformon në një mënyrë që s’mund ta përshkruaj me fjalë. Ai nisi të më gërryejë lëkurën dhe shpirtin, ashtu siç bën mola kur shkatërron një copë druri. Prej atij momenti i premtova vetes vetëm tre gjëra: S’ka vend për lot, s’ka dëshpërim dhe s’ka mëshirë. Sulmi i tronditi të gjithë të afërmit. Frika se unë mund të mos zgjohesha më, ishte prezente për mjaft ditë tek ta. Askush nuk e kuptonte dot se si ky sulm mund të më ndodhte mua pasi nuk i kisha bërë kurrkujt keq dhe në ato momente nuk gjenim dot një ‘pse?’ apo ‘kush?’.  S’mund ta fshij dot portretin e babait pranë shtratit të spitalit. Vështirë ta shihja në atë gjendje njeriun që më ka shoqëruar për krahu drejt shkollës prej trazirave në vitin 1997 dhe deri sa nisa rrugëtimin tim për t’u bërë zonja e vetes. Kjo ishte ëndrra e tim eti ndaj unë s’mund ta harroja edhe pse dergjesha në lëngata. Dashuria e tij, familjes, miqve por edhe shumë kolegëve të thjeshtë që punonin me mua, ishin ilaçi më i mirë për të përballuar dhimbjen e atyre ditëve. Pasi e kalova rrezikun për jetën, nuk u përqendrova tek ajo që më ndodhi por tek çfarë kurash duhet të bëja dhe ku. Veprova dhe kërkova zgjidhje në disa klinika të specializuara në Evropë. Atëherë vetëm shërimi kishte rëndësi. Besoj se jeta e çdokujt mund të ndryshojë për një sekondë të vetme. Arsye e fortë kjo për të jetuar në të tashmen dhe mos ushqehemi me dilemat e së djeshmes. Këtë e mësova nga dëshira për të mos i dhënë më tepër kënaqësi të më shohin si viktimë ata që më sulmuan.

E sulmuan me acid, rrëfehet për herë të parë Vilma: Kur

Përkundrazi, ngjarja u shndërrua në një motiv që të rikisha një fytyre normale e cila pavarësisht shenjave do vazhdonte të buzëqeshte. Një fytyrë që të mos më kujtonte urrejtjen dhe zilinë e tyre, por të dëshmonte forcën dhe kurajën time. Dhe kjo është fytyra që unë kam  sot. S’është perfekt, por unë e dua si një nënë fëmijën e saj në mënyrë të pakushtëzuar. Mbase do t’ju duket e habitshme por unë e doja shumë vendin tim dhe s’kisha lindur për të ikur prej tij. (Ende kam nostalgji për rrugicat, lagjet apo njerëzit që i mbushnin me gumëzhima). Klima e krijuar më shtyu të bëhem azilante politike në Evropë pasi drejtësia shqiptare nuk shfaqi asnjë interes ndaj çështjes sime. Hetues që nuk hetuan, prokurorë që më mbyllën telefonin mbi fytyrë dhe policë që më përcollën duke më ngushëlluar: -Mbro veten dhe ik që këtej se ne s’të mbrojmë dot. Gjyshja ime dikur la Çamerinë për shkak të genocidit grek, ndërsa ironia e jetës bëri që historia të përseritet me mua, ku ndryshe nga ajo unë u dëbova prej indiferencës së organeve shqiptare. Besoj se pjesa më e madhe e shqiptarëve e kuptojnë se çfarë dua të them. Të vërtetën e njohim unë dhe të afërmit e mi. Unë u sulmova për arsye profesionale nga meshkuj qe s’pranonin të ishin nën drejtimin e një femre dhe të bashkëpunonin me të. Mbase duket e pabesueshme por zilia, ambicia dhe dëshira për të qenë superiorë ndaj gruas, është një limit që shumë meshkuj e akumolojnë në ambientet e punës. Kujtoj se gjatë kurimit kam ndjekur mjaft hipoteza të çuditshme që hidheshin në shtyp ku njëherë më përshkuanin si të butë dhe njëherë si të reptë, diku më shfaqnin si miqësore dhe diku si armiqësore. Ka pasur abuzime nga media pa menduar se sa herë atyre i shtoheshin klikimet, aq herë edhe mua më shtoheshin plagët. Unë e adhuroja punën që bëja dhe ruaj raporte të mrekullueshme me mjaft kolegë të cilët me mbështetjen e tyre u shndërruan në një patericë të vërtetë.

E sulmuan me acid, rrëfehet për herë të parë Vilma: Kur

Sa për autorët, besoj se koha do ta thotë një ditë fjalën e saj. Padyshim. Shitja e lirë e acideve është një rrezik për të gjithë pasi ka shtuar numrin e sulmeve jo veç në Shqipëri, por edhe në Evropë. Një shishe acid mund të gjendet kudo, pasi kushton sa një akullore edhe mund ta blejë çdo idiot pa pasur nevojë të tregojë identitetin. Kam kaluar 5 vite të gjata për të rindërtuar një fytyrë të cilën e shkatërruan për vetëm 5 sekonda. Acidi duhet të konsiderohet nga legjistlacioni si ‘armë’, të ketë kufizim në shitje dhe blerësit të regjistrohen. Kur isha me bust allçie (maska) këndoja dhe që prej atëherë vazhdoj ende të këndoj me aq sa di sa herë më jepet mundësia. Qëndroni të fortë dhe mos e humbni besimin tek fuqia që keni. Edhe pse nganjëherë zbehet, ajo qëndron e strukur brenda nesh dhe duhet ta nxjerrim prej aty. Asgjë dhe askush s’mund ta mposhtë një person te mirë që beson dhe nuk dorëzohet kurrë", ka përfunduar Vilma rrëfimin për "Gazeta Tema".

Burimi: Gazeta Tema